5 shtator 2008 -
Gjimnazi i Tetovës, duke kurorëzuar bashkëpunimin disavjeçar me shkollat e mesme frankofone, është binjakëzuar me gjimnazin e qytetit të Lisieux të Francës. Në takimin e zhvilluar të enjten e kaluar në gjimnazin e Tetovës, u tha se binjakëzimi i këtyre dy gjimnazeve është konfirmuar edhe zyrtarisht nga ana e Ministrisë franceze të Arsimit.
Publié dans l’hebdomadaire Monitor du xxx 2008.
«Sot ne vendosim raporte bashkëpunimi mes dy gjimnazeve. Qëllimi i këtij projekti është që të kemi bashkëpunim në tema me interes për nxënësit e të dy gjimnazeve. Tema e parë është «Qytetërimi evropian», ndërsa tema e radhës ka të bëjë me Faik Konicën, i cili ka mësuar në gjimnazin e qytetit të Lisieux», deklaroi për Monitorin përfaqësuesi i ambasadës së Francës në Shkup, Arnaud Coutey.
Faik Konica, konsiderohet si një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Ndërsa profesorët e paraleleve dygjuhësore u shprehen se në kuadër të këtij bashkëpunimi, përveç tjerash, nxënësit tetovarë të paraleleve dygjuhësore do të mund të vizitojnë Francën, respektivisht të ndjekin për së afërmi procesin arsimor në gjimnazet e atjeshëm.
Binjakëzimi i gjimnazit të Tetovë me një gjimnaz frankofon është si rezultat i ekzistimit të paraleleve dygjuhësore në gjimnazin e Tetovës, të cilat janë hapur për herë të parë gjatë vitit shkollor 1999/2000. Pas një dekade pune të palodhshme në këto paralele, kohë me parë dy profesorët e këtij gjimnazi, Nijazi Etemi dhe Rametulla Munishi u dekoruan nga Presidenti i Republikës së Francës, Nicolas Sarkozy, me dekoratën «Kalorës nga rendi i palmave akademike», që u ndahet atyre personaliteteve që kanë dhënë kontribut në lëmin e arsimit.
Në takimin e organizuar me rastin e binjakëzimit të këtyre dy gjimnazeve kanë marrë pjesë profesori i historisë i gjimnazit të Lisieux, Frédéric Baillœl, përfaqësuesi nga ambasada e Francës në Shkup, Arnaud Coutey, shef i Aleancës Franceze në Tetovë, Paul Chambry, drejtori i gjimnazit të Tetovës Zulxhevat Abdiu dhe profesorët e paraleleve dygjuhësore të gjimnazit, lektorja Émilie Chambry, Nijazi Etemi, Rametulla Munishi dhe Majlinda Sinani.