e premte 22 qershor 2012
Accueil > shqip > Bashkëpunimi midis Normandisë së Poshtme dhe Maqedonisë > Risitë e bashkëpunimit > Turizmi rural fshihet te entuziastët lokalë dhe në fund të sirtarëve

Turizmi rural fshihet te entuziastët lokalë dhe në fund të sirtarëve

15 gusht 2010 - Maqedoni
Tema.com / A1 / Utrinski Vesnik

Sipas mendimit të kompetentëve, tursitët nuk duhet t’i vizitojnë fshatrat vetëm për të ngrënë dhe pastaj të kthehen menjëherë, porse qëndrimi i tyre duhet të jetë krejtësisht i organizuar me qëllim që ata të munden t’i shijojnë shëtitjet, të vizitojnë vende të ndryshme dhe të kenë mundësinë të marrin pjesë në aktivitetet e banorëve lokalë.

Sa duhet për të rindërtuar një shtëpi të rrënuar në një fshat të çpopulluar dhe ta transformosh atë në një kapacitet banimi? Jo dhe aq shumë. A është e vështirë të tërhiqen turistë të cilët do e mbushnin këtë shtëpi. Po, kjo është shumë e vështirë. Ky është mendimi i punëtorëve turistik dhe i atyre të cilët angazhohen për zhvillim të turizmit alternativ në Maqedoni, një sektor ky i cili mbi të gjitha është ose rasti i vetëm ose rasti më i mirë për të promovuar vendin duke kaluar kështu në një strategji nacionale.

Disa fshatra si ato në rajonet e Drimkol, Prespës, Pelister e Maleshevo të Mijaçija etj tashmë kanë fituar famë. Por, edhepse ekspertët besojnë se këto fshatra janë tregues më të mirë të mundësive në dispozicion, ne nuk e kemi shfrytëzuar plotësisht potencialin e tyre dhe aq më pak potencialin e fshatrave ku asgjë nuk është investuar. Iniciativat për të reaguar janë pothuajse gjithmonë lokale ose individuale të ndërmarra nga organizatat joqeveritare ose nga grupe entuziastësh. Shumë projekte, të tilla si “Fshati maqedonas”, “Fshati finlandez,” Fshati diplomatik “,” Fshati organik " fshihen nëpër sirtarët komunal.

Që prej 20 vjet në Maqedoni janë përhapur rrëfime për prirjen e njerëzve jashtë vendit që të paguajnë për të shkuar në fshat për të mësuar rritjen e bagëtive, prodhimin e ushqimit dhe për të jetuar disa ditë pa energji elektrike. Ky fenomen, domethënë arsyet për të shkuar atje, atëherë ishin pak të paqarta, sepse në atë kohë shumica e njerëzve ishin të lindur në fshat dhe dinin gjithçka për jetën rurale. Termi “pushime” përfshinte një udhëtim, një plazh apo në mungesë të parave një vizitë vendlindjes. Pse turizmi alternativ nuk është zhvilluar gjithmonë, pavarësisht nga fakti se koncepti i turizmit rural ka tejkaluar vendin tonë 20 vjet më parë? “Ky është fillimi”, “Na pret një rrugë e gjatë,” “Ashtu, kështu”, “Potenciale të pashfrytëzuara” janë përgjigjet më të shpeshta.

Një fundjavë dhe kaq

Sot një numër i konsiderueshëm i qytetarëve tanë mund mekanikisht të numërojnë dhjetra vende të ndryshme turistike dhe kryesisht rurale, për shembull, Vevçan, Galiçnik, Lazaro, Brajçino, Ljubojno, Babino, Koleshino etj. Në shumicën e rasteve ata kanë dëgjuar të flitet për to nga njerëz të tjerë apo media, por ata kanë vështirësi për të gjetur informacion në lidhje me transportin, strehimin dhe aktivitetet lokale Nëse ata vendosin për të vizituar ndonjë vend, ata e fillojnë udhëtimin në cilindo vend. Pasi ata gjejnë se këto fshatra janë të mërzitshëm, qëndrimi i tyre nuk zgjat më shumë se dy ditë.

Sipas Gordana Janakieskës nga shoqata “Marko Kral”, që promovon forma alternative të turizmit janë disa iniciativa të cilat nuk realizohen kurrë për shkak të ideve të pa analizuara mirë dhe të gjitha këto defekte mund të shndërrohen në përparësi nëse qasja individuale zëvendësohet me një strategji të veçantë kombëtare.

“Dikush tregon një rrëfim, ai bëhet popullor dhe tërheq shumë njerëz në cilindo vend dhe pastaj e njëjta gjë ndodh përsëri. Pas disa vite, vizita e vendeve të caktuara reduktohet vetëmse në ulje në një restorant, për t’u pirë dhe për tu kthyer në të njëjtën ditë. Duhet që me të vërtetë të ofrohet diçka e re në çdo kohë, të argëtohen vizitorët, t’ju ofrohen aktivitete të shumta. Shumë shpesh ne harrojmë komponentin arsimor: në vend që vetëm të hahet, vizitorët mund të shikojnë se si janë të përgatitur ushqimet, nga vijnë prodhimet apo me fjalë të tjera, kjo është një mundësi e përkryer për t’ju prezantuar turistëve aktivitetet lokale bujqësore. Kjo është veçanërisht e dobishme për fëmijët, të cilët kanë gjithnjë e më pak mundësi për të mësuar diçka rreth kësaj mënyrë të jetesës,”thotë Janakievska.

Ajo shton se në këtë moment ajo është duke punuar në një projekt të tillë në fshatin Deviç në fermën "Mak Viking”, në pronësi të maqedonasve nga Danimarka. Ideja e saj është që të tërhiqen turistë të huaj të cilët do të merrnin pjesë në mbledhjen e çajit dhe do të njiheshin kështu me bukuritë e mrekullueshme të rajonit.

Popullata nuk është e gatshme “Njëzet vjet më vonë, turizmi rural është gjithmonë në hapin e parë,” thotë Dragi Pop Stojanov, drejtor ekzekutiv i Dhomës turistike të Maqedonisë. Sipas tij, numri i agjencive të cilat përpiqen të bëjnë diçka nuk është i vogël, por situata akoma nuk ka arritur nivelin e dëshiruar.

“Ne duhet të punojmë shumë me popullatën lokale për të krijuar një turizëm të mirë dhe kjo nuk është gjithmonë e lehtë.”

“Fshatarët duhet të mësojnë mënyrat e mira të veprimit dhe tw mirësjelljes, ata duhet të dinë se si të akomodojnë vizitorët, si të përgatisin ushqimin e tyre. Ata duhet gjithashtu të investojnë në një banjo të re, për shembull, kështuqë vizitorët të mos e përdorin ate që është e përbashkët. Gjithashtu është vënë re edhe nevoja për udhëzues i cili do i zbaviste vizitorët. Por duhet theksuar se, përkundër disa tentimeve, fshatrat nuk mund të veprojnë si operatorë turistikë. Fshati duhet vetëm të ofrojë shërbime për turistët ndërsa janë agjencitë ato të cilat duhet t’i sjellin ato”, shton Pop Stojanov. Sipas tij, vizioni i zhvillimit të kësaj forme të turizmit është ende i paqartë, por është e padiskutueshme që vizita e fshatrave duhet të përfshijë shumë aktivitete të tilla si shëtitje dhe vizitë të vendeve, por edhe vëzhgim të jetës lokale.

Pjesëmarrja e ndërmarrjeve të mëdha

Nga ana tjetër, Miodrag Atanasievski, kryetari i Dhomës së turizmit të Maqedonisë, thotë se pavarësisht nga fakti që përpara nesh është një rrugë e gjatë, është shumë e rëndësishme që turizmi rural të zhvillohet sa më parë. “Kjo është alternativa jonë dhe unë e mirëpres promovimin e vendeve të caktuara. Zhvillimi do të ndiqet nga ndërtimi i infrastrukturës që do të sigurojë qasje drejt vendeve, por edhe nga grantet për çdo turist të huaj. Megjithatë, unë mendoj se ne do merrnim maksimumin, nëse kompanitë e mëdha do të ndihmonin zhvillimin e turizmit përmes investimeve në vendpushimet turistike. Në këtë mënyrë do të bënim përparim jo vetëm në fushën e turizmit, por edhe në ndërtim, në prodhimtarinë ushqimore dhe në shumë sfera tjera,”shton Atanasievski. Ai e sheh një tjetër mundësi për zhvillimin e turizmit në të mirat financiare që maqedonasit e diasporës do t’i kishin investuar në vendlindjet e tyre. Ata do kishin luajtur një rol të dyfishtë në zhvillimin e turizmit edhe atë sëpari si investitorë dhe pastaj si promovues në vendet e tyre të banimit.

Presim momentin e volitshëm

Sipas faqes së internetit të Agjencisë për promovimin e turizmit, “Çdo fshat maqedonas mund të bëhet një atraksion turistik sidomos pasi shumica e fermerëve janë mikpritës.” Teksti thotë se pak agjenci organizojnë turne nëpër fshatra dhe nëpër rajonet që duhet parë sikur që janë Mijaçija, Prespa, Pelister dhe Elshani pranë Ohrit. “Sipas drejtorit të këtij institucioni Zoran Strezovski, vendi ka një potencial të madh për zhvillimin e turizmit rural, por pritet koha e duhur për të përfituar.”Ne nuk jemi akoma mjaft të zhvilluar, dhe gjithmonë mund të bëhet më shumë. Shumë iniciativa janë marrë dhe disa projekte realizohen me sukses si Brajçino, Deviç, Vevçan, Ljubojno, Nizhepole, Capari, Babino etj. Dega e turizmit nuk është mundësia e vetme për Maqedoninë, por ajo sigurisht që është ndër më të rëndësishmet, " thotë Strezovski.

Agjencia e përkufizon turizmin rural si një gamë të gjerë të aktiviteteve ose më saktë, ngjitje, rritje të kafshëve dhe kopshtari, përgatitje të ushqimit tradicional, pjesëmarrje në ceremonitë që shënojnë festimin e festave fetare (e shtuna e Llazarit, Vasilica, Pashkët, Epifani) dhe fabrikimit të pëlhurave, pastaj mbrëmjet ku rrëfehen tregime maqedonase etj. Drejtori Strezovski shton se në panairet e turizmit ata e promovojnë turizmin rural dhe se së shpejti ata do të zhvillojnë materiale promovuese.

Në fund të sirtarëve

Fshati maqedonas – Është e paraparë që në afërsi të manastirit të Shkupit “Shën Pantelejmon” në fshatin Vodno të ndërtohet një fshat artificial i përbërë nga shtëpi tipike për rajone të ndryshme. Ministria e Ekonomise ka nisur idenë në vitin 2007, por që atëherë, për shkak të pengesave administrative, është realizuar vetëm projekti. Informacion i fundit për këtë projekt është se gurthemeli do të hidhet këtë vjeshtë.

Fshatin finlandez - Kjo ide ka qarkulluar për herë të parë në 2006 si një projekt i përbashkët i autoriteteve lokale të Prilepit dhe biznesmenëve finlandezë, por nuk është realizuar kurrë. Vitin e kaluar finlandezët vizituan Resnjën dhe kanë qenë të interesuar në ndërtimin e një fshati të tillë në Dolno Dupeni. Këtë vit ata e kanë vizituar përsëri rajonin për të diskutuar me autoritetet lokale. Tani për tani, nuk ka rezultate konkrete. Fshati organik - Ndërmarrë nga Ministria e Bujqësisë, ujërave dhe pyjeve gjatë mandatit të ministrit Aco Spasenovski, kjo iniciativë akoma nuk është realizuar. Ajo parashihte përshtatjen e dy fshatrave, një në perëndim dhe një në lindje të Maqedonisë, të cilët, si kapacitete, do të kishin përmbushur kushtet e prodhimit të ushqimit organik në mënyrë tradicionale .

Gurr + tokë + kashtë = objekt turistik

Për 5 ditë, në Staravinë, fshatarët e Mariovës dhe pjesëve të tjera të vendit si dhe studentë të Fakultetit të arqitekturës kanë mësuar se si të përdorin materiale natyrore që janë kudo për të restauruar shtëpitë e vjetra të shkatërruara. Ky projekt është pjesë e bashkëpunimit të decentralizuar midis Maqedonisë dhe të rajonit francez Normandi e poshtme. Qendra për zhvillim institucional (CIRa) e organizon këtë ngjarje në suaza të aksit të pestë të programit “Turizmi alternativ dhe zhvillimi i qëndrueshëm”. “Ne punojmë kështu që prej 3 vjet, organizojmë seminare për restaurimin e ndërtesave të vjetra tradicionale. Komunat e Berovës, Novacit dhe Mavrovë-Rostushës kanë marrë pjesë aty. Gjatë periudhës në vijim, që do të thotë 2010-2013, ky program parashikon zhvillimin e turizmit rural në një shtëpi të paktën në çdo komunë,” tha Srgjan Amet nga CIRa.

Tefik Tefikovski, një ekspert i njohur sidomos në Itali, me prejardhje nga fshati Mariovë Jançe është ai që mban trajnimin. Ai jua mëson pjesëmarrësve llojet e tokës, përdorimin e çdo lloji, si të përdorin gurin, shkopinjtë, kashtën dhe materialet tjera. “Materialet janë kudo, duhet vetëm të grumbullohen dhe të transformohen në një shtëpi. Cilësia dhe e qëndrueshmëria e tyre i tejkalojnë ato të materialeve bashkëkohore. Materiale natyrore kanë karakteristika izoluese kur bën ftohtë dhe ngrohtë dhe e rregullojnë lagështinë brenda në shtëpi. Për ngrohjen e ndërtesës me mbi 500 m² që unë kam në Jançe, unë përdor nja tridhjetë litarë të drurit përgjatë një stine. Kjo tregon efikasitetin energjetik të materialeve. Avantazhi është se sa herë një shtëpi e tillë është e prishur, ne gjithmonë mund të ripërdorim gati gjithçka për të ndërtuar një të re. Pas prishjes së një shtëpie moderne, ju keni vetëm mbetje të ndërtimit.”Thotë Tefikovski. Studentët e arqitekturës kanë marrë pjesë në seminar, sepse edhe ata besojnë se e ardhmja është në materialet natyrore.

“Mësojmë se si njerëzit kanë ndërtuar më parë. Unë mendoj se njohuritë që i kemi fituar këtu do të jenë shumë të dobishme për ne sidomos pasi kërkesa për ndërtim me materiale natyrore është në rritje.” thotë Barbara Irakovska, një nga pjesëmarrëset.

Riste Projçevski, kryetari i komunitetit Zovikj, fshatin fqinj të Staravinës, ka mësuar se si të rindërtojë me lehtësi një shtëpi të shkatërruar, por ai dyshon se ndërtimi i shtëpive është i mjaftueshëm për të tërhequr turistët.

“Ne duhet së pari të ndërtojmë rrugën dhe të sigurojmë furnizimin me energji elektrike. Shumë shpesh ne nuk mund t’i rregullojmë në kohë defektet me energjinë elektrike. Shërbimi i shpërndarjes së rrymës EVN tallet me Mariovën” ankohet ai. Por sipas kryetarit të Novacit Lazar Kotevski, cilësia e dobët e infrastrukturës nuk duhet të ngadalësojë zhvillimin e turizmit. “Si pjesë e projektit, kam vizituar rajonin e Normandisë së poshtme me qëllim të prezentimit të komunës dhe rajonit të Mariovës. Ata më pyetën për avantazhet dhe disavantazhet. Kur kam vënë theksin në infrastrukturë, ata më thanë se ky është një kusht i rëndësishëm. Por ne duhet të kemi të paktën kushtet për të arritur nëpër fshatra. Rruga për në Staravinë është rrugë rajonale dhe unë shpresoj se do të jetë në listën kombëtare për vitin e ardhshëm,”tha Kotevski.

Për të arritur në fshatin Staravinë duhen 4-5 orë vozitje me makinë 4x4. Duket se fshati është në fund të botës, ose të paktën në fund të Maqedonisë. Fshati tregon historinë e Kaleshi Angjës. Shtëpia e saj ende qëndron dhe në një kodër të afërt mund të vëreni gjurmët të cilat ju kujtojnë luftën e popullsisë lokale kundër turqve. Pero, 85 vjeç, i cili jeton në shtëpinë fqinje, jua tregon të gjithëve historinë e Angjës së re. Ai di disa fjalë në gjuhën angleze dhe mirëpret vizitorët duke thënë “Hello” ose “Welcome” dhe “Rrugë të mbarë”, kur ata largohen. Pero ankohet se askush nuk ka menduar për të vënë një pllakë në kujtim të Angjës në mënyrë që të gjithë të mund të gjejnë lehtësisht shtëpinë e saj. Sot muri i shtëpisë së saj është i mbuluar me moton “Rroftë shoku Tito”, e shkruar me të kuqe.

Plani i internet faqes | © Conseil Régional de Basse-Normandie - Tous droits réservés
Région Basse-Normandie République de Macédoine Ministère des Affaires étrangères et européennes ALDA